UMB Bootcamp – Transformimi i ideve në biznese

Më 17 janar 2019, në UMB u organizua Bootcamp-i i parë për vitin, “Transformimi i ideve në biznese – Si të ndërtojmë një plan biznesi në 30 min.”

Synimi i aktivitetit ishte të kultivohet tek studentet iniciativa sipërmarrëse si një alternative reale, e cila sjell vlerë të shtuar jo vetëm për to por edhe për ekonominë vendase në tërësi. Gjatë këtij bootcamp-i u sfiduan idetë e studentëve për biznese, duke i modeluar ato në plane biznesi sipas formatit të Business Canvas dhe Lean Canvas. Këto të fundit janë dy nga formatet e modeleve të biznesit më të përdorura në fushën e startup-eve, pasi forma dhe lehtësia e përdorimit të tyre ndihmojnë në identifikimin e pikave të forta dhe të dobëta të një ideje dhe mundësisë që ajo mund të ketë për tu komercializuar në të ardhmen e afërt.

Aktualiteti i temës dhe natyra aplikative e tij beri që aktiviteti të tërheqë një vëmendje të madhe tek studentët të cilët mbushen auditorin dhe ishin shumë aktivë në të. Suksesi i këtij eventi, i cili është edhe një ndër të parët e këtij cikli aktivitetesh të planifikuara nga BarletiHub në ndihmë te startup-eve, ishte në identifikimin e 4 startupeve ekzistuese dhe në formimin e 2 starup-eve të rinj, të cilët do ti bashkëngjiten këtij rrugëtimi i cili do të ofrojë edhe mundësinë e konkurrimit në Creative Business Cup Albania 2019, në fund të muajit mars, nga ku fituesi do të ketë mundësinë të paraqesë idenë e tij para investitorëve të mundshëm në Kopenhagë të Danimarkës.

Në aktivitetet e radhës këto startupe do të marrin trajnim dhe mentorim për aspekte të ndryshme të botës së biznesit dhe të berit biznes në përgjithësi. Më specifikisht temat e ardhshme do të trajtojnë format e ndryshme të organizimit te një sipërmarrje private, hapat që duhen ndjekur për të hapur një biznes, format dhe mjetet për të komercializuar aktivitetin, ndërtimin dhe menaxhimin e procesit të shitjeve, analiza financiare, etj.