Bizneset përballë realitetit të ri

Barleti Hub, në bashkëpunim me Triple CITY, organizuan takimin online me përfaqësues të bizneseve nga sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Qëllimi i këtij takimi është brainstoriming në lidhje me situatën që janë duke kaluar aktualisht bizneset në Shqipëri, si disa prej tyre kanë arritur të përballojnë “humbjet” gjatë kësaj kohë, mënyrat inovative për t’ju përshtatur realitetit të ri, etj.

Guest speakers në këtë takim online ishin Prof. Dr. Zana Guxholli, Zv/Rektor për Kërkim dhe Inovacion, Universiteti Barleti e cila evidentoi sfidat me të cilat janë duke u përballur universitetet në këtë kohë pandemie si dhe zgjidhjet alternative që Universiteti Barleti ka përdorur për të ruajtur standardet e mësimdhënies në “realitet të ri”.

Arlinda Dudaj, CEO e “Botimet Dudaj” theksoi se industria e librit u gjend e papërgatitur, si çdo industri tjetër, dhe iu drejtua kanaleve online të komunikimit. Ajo shprehet se lexuesit  kanë blerë libra, por jo me të njëjtin ritëm si më parë. “Personalisht kam përdorur dhe rrjetet sociale për të përcjellë mesazhe dhe për të promovuar libra gjatë kohës së Covid19. E kam parë këtë pandemi si një oportunitet duke përkthyer në gjuhën shqipe edhe librin “Vincent” të Barbara Stock.”

Edhe për platformën online të librave “Bukinisti” ka pasur tre-fishim të blerjes së librave gjatë kohës së pandemisë. Z. Albert Gjoka shprehet se për Bukinistin ky ishte një oportunitet pasi lexuesit ju drejtuan platformave online për çdo blerje.

Ndërkohë që panairi i librit, i cili është nga data 12-15 nëntor këtë vit do të zhvillohet online.

Alban Zusi, Food Industry, e konsideron këtë sektor si më pak të prekurin nga pandemia. Drejtuar pyetjes nëse ky sektor ka marrë mbështetje nga shteti gjatë pandemisë, z. Zusi shprehet se “Sipërmarrësit nuk duhet ti hedhin gjithmonë sytë nga shteti për të gjetur zgjidhje në një situate që është e panjohur nga secili prej nesh, edhe nga sektori shtetëror.”

Themeluesja e “Hospitality and Tourism Academy”  znj. Gladiola Dona theksoi që ne kemi trajnuar të njëjtin numër të të rinjve në sektorin e turizmit si çdo vit tjetër. Tek ne nuk ka pasur efekt negativ kjo, -shprehet ajo. Edhe pse sektori i turizmit ka qenë  një nga sektorët më të goditur, fakti që ne kemi punuar me resorte të mëdha, ndoshta kjo ka bërë të mos e ndjejmë shumë këtë pandemi.

Për kompaninë Ola1, e cila operon në sektorin e prodhimit të industrisë marketing, sektor i cili ka qenë i lejuar të operonte gjatë kohës së pandemisë, evidentohen probleme të tjera: “Shumë punonjës vendosën të largoheshin nga puna pasi efekti psikologjik përballë kësaj të panjohure ishte i madh. Sa i përket  produkteve që ofrojmë, kemi pasur ndryshim edhe të produkteve që ofrojmë, bizneset kanë hequr dorë nga prodhimi i stilolapsave, blloqeve, T-shirt, banerave por kanë filluar të prodhojnë maska të brenduara/ personalizuar”.

Ndërsa AGNA, një nga kompanitë më të mëdha në vend, e ka parë pandeminë si oportunitet, “Kemi filluar të trajnojmë stafin tonë për t’ju sjellë me këtë realitet të ri, jemi munduar që edhe sa i përket peshës psikologjike që pandemia kishte, të jemi afër me punonjësit tanë pasi për ne punonjësit janë një aset shumë i vyer”, shprehet z. Genti Kaci drejtue i Agna Leardship Academy.

Gjendur përballë kësaj situate të panjohur, secili prej sektorëve ka zgjedhur ti përshtatet realitetit të ri në mënyrën më inovative të mundshme.